Prej datës 5 dhjetor 2019, znj. Lendita Haxhitasim është akredituar Ambasadore e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Republikës së Kosovës në Republikën e Italisë.
Në 2009 përzgjidhet në grupin e ngushtë të diplomatëve të karrierës të Ministrisë së Punëve të Jashtme, e angazhuar në themelimin dhe konsolidimin e misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës. Znj. Haxhitasim ka shërbyer në Ambasadën e RKS-së në Mbretërinë e Belgjikës, ku ka mbuluar çështjet kryesore lidhur me institucionet e BE-së në Bruksel. Më pas është emëruar në rolin e Zyrtares Ndërlidhëse me OKB në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në New York. Në misionin e radhës, në Ambasadën e Kosovës në Uashington D.C., ka bashkëpunuar kryesisht me Departamentin e Shtetit dhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA. Në 2018 znj. Haxhitasim u kthye në Prishtinë, ku për një periudhë ka shërbyer në MPJ si Drejtore në Detyrë e Departamentit për Evropën dhe BE-në.
Para karrierës diplomatike, znj. Haxhitasim ka punuar si Këshilltare në Ministrin e Brendshëme të RKS, ku përmes UNDP ka dhënë kontribut në zhvillimin e sektorit të Sigurisë. Gjithashtu, përvoja me Sekretariatin e Delegacionit për marrëdhëniet me vendet e Evropës Juglindore në Parlamentin Evropian në Bruksel ka qenë shumë e rëndësishme, ndërsa pas luftës, që nga viti 1999, znj. Haxhitasim ka punuar për KFOR-in. Ajo studimet e larta i ka kryer në Itali, ku është e diplomuar në Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare.