Lorik Cana është një ish-futbollist profesionist dhe ish-kapiten i Kombëtares Shqiptare. Ai aktualisht është ambasadori Grassroots për futbollin e fëmijëve në Shqipëri, i emëruar nga Shoqata Shqiptare e Futbollit në 26 Tetor 2017.
Cana gjatë karrierës së tij të gjatë futbollistike luajti në divizionet më të larta të Francës, Anglisë, Italisë dhe Turqisë, duke përfaqësuar Paris Saint-Germain, Sunderland, Galatasaray, Lazio, FC Nantes dhe Olympique de Marseille. Ai poashtu mban rekordin e paraqitjeve për ekipin kombëtar shqiptar të cilin e ka përfaqësuar plot 93 herë që kur bëri debutimin e tij në vitin 2003 deri në pensionimin e tij në 2016. Në fillimet e karrierës ai luante kryesisht si mesfushor defanziv dhe qendror por më pas kaloi në pozitën e qendërmbrojtësit. Ai udhëhoqi kombëtaren shqiptare në UEFA Euro 2016 në Francë e cila ishte gara e parë e madhe ndërkombëtare për Shqipërinë.