Z. Salihu u lind në Mitrovicë dhe që nga viti 1992 jeton në Gjermani. Sporti dhe kultura janë dy fushat në të cilat z. Salihu është i angazhuar qysh nga ditët e para të arritjes në Gjermani, fusha këto në të cilat ai ka gjetur edhe mundësi, jo vetëm për mbajtjen e lidhjes me vendlindjen por edhe hapësirë për bashkëpunim dhe ndihmë.
Me një karrierë të bujshme si lojtar dhe trajner në sportin e hendbollit, z. Salihu ishte anëtar i Reprezentacionit te Kosovës dhe u paraqit në ndeshjet e para ndërkombëtare të Federatës së hendbollit të Kosovës (FHK). Sot ai është bashkëpunëtor i jashtëm i FHK-së.
Z. Salihu është një ndër bashkëthemeluesit e shoqatës kulturore URACult që u themelua në Köln në vitin 2014, shoqatë kjo ndër më aktivet në promovimin e kulturës së trojeve shqiptare në Gjermani. Si Kryetar i URACult, z. Salihu është pjesëmarrës aktiv në punën e komunitetit shqiptar në Gjermani.