Ylfete Fanaj është politikanja e parë me prejardhje shqiptare e zgjedhur në një asamble komunale dhe pastaj edhe në një parlament kantonal, në Zvicër. Nga viti 2011 ajo është deputete në Parlamentin e Kantonit të Lucernit, ndërsa në vitin 2007 ishte zgjedhur për herë të parë këshilltare në Asamblenë e qytetit të Lucernit. Me këtë përvojë në politikë, Ylfete Fanaj është një emër me peshë në politikën e kantonit të saj e më gjerë.
Gjatë katër vjetëve të fundit, ajo ka qenë edhe kryetare e Grupit Parlamentar të SP-së në Parlamentin e Kantonit të Lucernit. Më 23 qershor 2020, ajo u zgjodh kryetare e parlamentit kantonal për periudhën 2020/2021 me 91 nga 117 vota. Me zgjedhjen në postin e lartpërmendur, Ylfete Fanaj ka arritur më shumë se cilido politikan me rrënjë shqiptare në politikën zvicerane.